Azerbaxhani, fonde për lobim te politikanët europianë

05/09/2017 00:00

Elita në pushtet e Azerbajxhanit ka përdorur për dy vite rresht një skemë sekrete 2.8 miliardë dollarëshe, për të paguar politikanë europianë e për të bërë blerje luksoze.

Hetimi i realizuar nga një grup gazetash europiane, e i publikuar nga projekti i raportimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit “OCCRP”, tregon se paratë kanalizoheshin përmes 4 kompanive jotransparente me seli në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat sot janë shkrirë që të gjitha.

Personat e paguar prej pushtetarëve azerbajxhanas përfshijnë politikanë europianë, të cilët kanë adoptuar pas kësaj një qëndrim favorizues ndaj qeverisë në Baku. Sidoqoftë, nuk ka të dhëna që të tregojnë se të gjithë përfituesit e këtij fondi të posaçëm ishin në dijeni të burimit fillestar të parave.

Fondi sekret, i mbiquajtur “Lavanderia azerbajxhanase”, ka funksionuar për dy vite deri në 2014-n. Se nga vinin paratë e tij, kjo është e paqartë, por ka plot tregues që e lidhin me familjen e presidentit Ilham Aliyev.

Ndaj lajmit nuk ka pasur ndonjë reagim, as nga Aliyev, e as nga qeveria e Azerbajxhanit. Në kohën kur skema ishte në kulmin e saj, ish-republika sovjetike e pasur me naftë akuzohej për korrupsion sistematik, manipulim votash dhe abuzime që përfshinin burgosjen e politikanëve të opozitës, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve.

Shumica e parave thuhet t’u jenë paguar lobistëve, reporterëve, politikanëve dhe biznesmenëve. Nga sa pretendon “OCCRP”, skema ka qenë e suksesshme, e për këtë citohet rasti i bindjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të votonte kundër një raporti kritik ndaj Azerbajxhanit në vitin 2013, që kishte të bënte me të drejtat e njeriut.

Top Channel