Vdekjet e foshnjave në Indi, hetohet një tjetër spital

04/09/2017 00:00

Policia indiane po heton vdekjen e dhjetëra të sapolindurve në një spital në Farrukhabad, Uttar Pradesh.

Dyzet e nëntë fëmijë vdiqën në spitalin ‘Ram Manohar Lohia’, në një muaj, duke përfshirë të paktën 30 të tjerë, të cilët thuhet se kanë vdekur nga asfiksia perinatale, gjendja që shkaktohet nga nivelet e ulëta të oksigjenit gjatë lindjes.

Në gusht, të paktën 160 të mitur vdiqën në një spital, në Gorakhpur, në të njëjtin shtet dhe disa nga këto vdekje ishin gjithashtu të shkaktuara nga mungesa e oksigjenit, por zyrtarët e lartë të qeverisë kanë mohuar këtë.

Raportet fillestare sugjeruan se furnizimi me oksigjen i spitalit Farrukhabad ishte prerë nga një furnizues privat, për shkak se faturat e papaguara kishin shkuar në më shumë se 93 mijë dollarë.

Raportet e medias lokale javën e shkuar, filluan të lidhin disa vdekje në këtë spital me vdekjet në Gorakhpur, duke nxitur hetimet.

Sipas policisë, shumica e vdekjeve të Farrukhabad ndodhën në njësinë e kujdesit të të porsalindurve të spitalit, midis 21 korrikut dhe 20 gushtit.

Rajoni është një nga më të varfrit në Indi dhe regjistron qindra vdekje të fëmijëve për shkak të sëmundjeve të ndryshme, çdo vit.

Top Channel