Të rinjtë emigrantë, Trump shqyrton pezullimin e programit mbrojtës

04/09/2017 00:00

Donald Trump po mendon seriozisht të pezullojë programin e mbrojtjes së të rinjve emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, e do t’i japë Kongresit 6 muaj kohë për të hartuar legjislacionin zëvendësues të “Deferred Action for Childhood Arrivals”, apo ndryshe “DACA”.

Vendimi për t’i dhënë Kongresit mundësinë e gjetjes së një alternative konsiderohet një kompromis në mesin e mbështetjes së fortë që gëzon skema në fjalë. Burime pranë tij citohen të pohojnë se presidenti mundet edhe të ndryshojë mendje.

Vendimin e tij mbi këtë çështje, ai pritet ta bëjë zyrtar gjatë ditës së martë. Programi i periudhës së Obamës mbron nga deportimi me qindra mijëra të ashtuquajturit “ëndërrimtare”, e u siguron atyre mundësi punësimi apo leje për studim.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan është përpjekur ta bindë shefin e Shtëpisë së Bardhë të heqë dorë nga nisma më e fundit e tij, që e zhyt vendin sërish në debate. “Këta janë fëmijë që nuk njohin vend tjetër, që janë sjellë këtu nga prindërit e tyre dhe Amerikën e konsiderojnë shtëpi”, mësohet të ketë thënë Ryan.

Të rinjtë përfitues nga kjo skemë ka nisur t’i përfshijë paniku.

“Më duket sikur kam një gur në vend të zemrës. U bënë kaq javë që merren me këtë çështje dhe kjo lloj pasigurie, sinqerisht po më vret”, tha 24-vjeçari Luis.

“Amerika është jeta ime, është shtëpia ime. Amerika më ka dhënë mundësi pafund dhe unë vetëm kaq di. Kam ardhur këtu kur isha një vjeç dhe këtu e shoh të ardhmen time”, tha Diana, 24 vjeç.

“DACA” mbulon rreth 750 mijë persona në SHBA nga deportimi, e për t’u kualifikuar si përfitues të tij, aplikantët nën 30 vjeç duhet t’i depozitojnë të dhënat e tyre personale pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Top Channel