Manovra ushtarake në Korenë e Jugut

04/09/2017 00:00

Orët e para të së hënës, ushtria koreano-jugore simuloi një sulm të armatosur në zonën e testimit të fundit nuklear të fqinjit problematik verior, ku përfshihej lëshimi i raketave balistike tokë-tokë dhe goditja e objektivave jashtë bregut lindor të Koresë së Jugut, nga avionë luftarakë “F15K”.

Në stërvitje u përdorën municione të vërteta. Qëllimi ishte të tregohej se vendi mbetet në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa arsye përse u përdorën armë konvencionale është se Koreja e Jugut nuk ka kapacitet bërthamor.

Seuli dhe Uashingtoni kanë rënë dakord në parim të rishikojnë rregullat ekzistuese, me qëllimin që Jugu të mund ta dyfishojë kapacitetin maksimal bartës të raketave të tij balistike.

Stërvitja, sipas zëdhënësit të ushtrisë koreano-jugore, tregon vendosmërinë e saj për të shkatërruar jo vetëm origjinën e provokimit, por edhe udhëheqësinë e armikut dhe forcave mbështetëse të tij, nëse kërcënojnë sigurinë e qytetarëve.

Manovrat erdhën disa orë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre do të ketë në këmbim një përgjigje masive ushtarake.

Komentet e shefit të Pentagonit erdhën pas takimit të tij me Donald Trump dhe kreun e ekipit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly. Qëllimi i mbledhjes urgjente ishte të diskutoheshin mënyrat e reagimet pas provës së 6 bërthamore të Koresë së Veriut, e cilësuar si më e fuqishmja deri tani, e ku – nga sa deklaron Peniani, – është testuar një bombë me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë balistike ndërkontinentale.

Trump po shqyrton ndërkohë mundësinë e ndalimit të tregtisë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut.

Top Channel