Gjermani, përse një mandat i katërt për Merkelin?

04/09/2017 00:00

Edhe pse ka 12 vite në pushtet, gjysma e të rinjve gjermane duan ta shohin sërish Angela Merkelin në krye të ekzekutivit.

Në kohën kur Britaninë e shkundi nga themelet “Brexit”-i, Shtetet e Bashkuara miliarderi Donald Trump, ndërsa Franca flirtoi rrezikshëm me mundësinë e një presidenteje të ekstremit të djathtë, Gjermania mbeti një oaz i qetë dhe i sigurtë.

Me një ekonomi të fuqishme, nivel të ulët papunësie, një imazh mëse pozitiv në skenën botërore, shtylla e fortë e BE-së i ka të gjitha kartat në rregull, e kjo i shtyn mjaft votues gjermanë të dëshirojnë një mandat të katërt për kancelaren e tyre, duke e katapultuar drejt kreut të listës së udhëheqësve europianë më jetëgjatë në pushtet.

Menaxherja 28-vjeçare e marketingut, Johanna Rüdinger e shpjegon fare qartë arsyen se përse ajo, si shumë të tjerë, e ka të qartë se për kë do të votojë në fund të shtatorit.

“Që kur Merkeli u bë kancelare kemi parë gjërat të ndryshojnë vërtet. Ajo ka qenë gjithmonë një përfaqësuese e denjë për Gjermaninë. Nuk është përfshirë kurrë në ndonjë skandal, është serioze dhe mjaft e përkushtuar. Çfarë mund të kërkohet më shumë nga një udhëheqës?”, shprehet Rüdinger.

Pati një moment kur u duk se froni i “mbretëreshës” së Europës po rrezikohej vërtet. Ishte koha e shfaqjes së Martin Schulz, i pagëzuar nga shtypi si “Sankt Martin”, apo njeriu i vetëm me potencialin ta rrëzonte Merkelin nga maja e saj e olimpit, e të sillte një dallgë idesh të reja që do të injektonin një frymë të freskët në peizazhin politik të lodhur prej pranisë së gjatë të 63-vjeçares.

Entuziazmi, megjithatë, nuk zgjati shumë. Sot, Schulz zvarritet në sondazhe shumë pas Merkelit dhe duket gati për bankën e opozitës në “Bundestag”. Opionistët nuk i vënë shumë faj fushatës së tij, e cila ka qenë mjaft energjike në mbarë vendin, në një kohë kur Merkeli pushonte qetësisht në Tirolin Jugor.

Socialdemokrati thjesht nuk e theu dot forcën e markës së kundërshtares së tij, sensin e sigurisë që nga ajo buron me bollëk, si dhe vazhdimësinë që i ofron Gjermanisë si fuqi e padiskutueshme ekonomike.

Top Channel