Debati Merkel-Schulz, kancelarja u reziston sulmeve

04/09/2017 00:00

Angela Merkel është Kancelare e Gjermanisë prej 12 vitesh, e këtë e tregoi qartë në debatin televiziv me rivalin e saj kryesor në zgjedhjet e 24 shtatorit, kreun socialdemokrat Martin Schulz.

Ajo nuk njihet për ndonjë zotësi të madhe në oratori, e përgjithësisht nuk i shijon përballje të tilla publike. Por, në duelin e transmetuar drejtpërdrejt nga kanalet kryesore televizive e të ndjekur nga rreth 20 milionë shikues, ajo u shfaq e qetë, e besueshme dhe me eksperiencë, duke zmbrapsur pa shumë mundim sulmet e kundërshtarit.

“Spiegel Online” thotë se kjo ishte performanca më e mirë në një debat e shefes së ekzekutivit. Kush priste goditje të forta e hundë të gjakosura në këtë përballje mbeti thellësisht i zhgënjyer. Schulz u përpoq, sidoqoftë, të sulmonte duke prekur temën që i kushtoi Merkelit një pjesë të popullaritetit: atë të refugjatëve.

“Nuk pajtohem dot me atë që bëtë në vitin 2015, sepse ishte gabim i madh të mos përfshiheshin në vendimmarrje edhe fqinjët tanë europianë. Për të kapërcyer problemin e emigracionit nevojitet një zgjidhje europiane”, tha Schulz.

“Po çfarë mund të bënim tjetër? I kam të qarta skenaret e diskutuara, por tani të flasim hapur, mendoni se pompat e ujit kundër mijëra njerëzve do ta kishin zgjidhur problemin? Unë them se jo. U kritikova shumë për vendimin e marrë, por sërish mendoj se ishte ai më i drejti”, tha Merkel.

Në lidhje me qëndrimin ndaj Turqisë, Trumpit dhe Koresë së Veriut, Schulz ofroi zgjidhje të thjeshta, kurse Kancelarja Merkel u paraqit si politikane me përvojë, duke thënë se nuk mund të presë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Turqinë, edhe për shkak të gjermanëve të arrestuar atje.

Sfiduesi socialdemokrat ishte i kënaqur me duelin që zgjati 97 minuta. Shikuesit e panë qartë sesi është njëri që synon vendime të qarta, ndërsa Merkel i bie gjithmonë vërdallë. Por Schulz, sërish nuk e sheh veten si fitues, sikurse e konsiderojnë disa vëzhgues politikë që ndoqën duelin.

Në përgjithësi, gjermanëve pak përshtypje u ka bërë përballja televizive, që për shumicën e atyre që e ndoqën solli rezultate mëse të pritshme.

Top Channel