Turqi, 12 gjermanë të burgosur politik. Në Berlin diskutohen sanksionet

03/09/2017 00:00

Nga 55 gjermanë të burgosur në Turqi, 12 janë prapa hekurave për arsye politike. Gjithmonë e më shumë politikanë në Berlin, – thotë “Deutsche Welle”, – po ngrenë zërin e pyesin se për sa kohë duhet ta durojë Gjermania këtë sjellje të Erdoganit.

Pas dy arrestimeve të reja të shtetasve gjermanë në Turqi, gati të gjitha partitë kërkojnë një kurs më të ashpër ndaj Ankarasë, e kritika kanë vërshuar edhe ndaj Kancelares Angela Merkel, të shënjestruar për atë që shihet si reagim tejet i përmbajtur i saj ndaj kreut të shtetit turk.

Merkel deklaroi të premten në Nuremberg se, ndalimet që po vënë në provë durimin e Berlinit “nuk kanë në shumicën e rasteve asnjë bazë”. “Prandaj duhet të reagojmë këtu me vendosmëri”, ishte deklarata e saj, pa sqaruar megjithatë konkretikisht sesi ka ndërmend të veprojë në këtë rast.

Merkel tha se, në kuadër të zhvillimeve aktuale, qeveria gjermane duhet ta “rimendojë ndoshta” edhe njëherë politikën e saj ndaj Turqisë.

Më parë, kancelarja ishte shprehur se do t’i bllokonte negociatat mes BE-së dhe Turqisë për zgjerimin e Unionit Doganor.

Edhe kreu i Partisë Kristiansociale, CSU, Horst Seehofer reagoi ashpër duke folur “për një seri shkeljesh kundër idesë bazë europiane, shtetit ligjor”, ndaj këmbëngul se, si qeveria gjermane, ashtu edhe BE-ja duhet të dërgojnë tani mesazhe të qarta, e të ndërpresin negociatat e anëtarësimit, bashkë me ndihmat financiare të premtuara Turqisë si përgatitje për aderimin, që pritet të përbëjnë 4.2 miliardë euro në vitet e ardhshme.

Top Channel