Testi bërthamor, Kina e dënon. Koreja e Jugut kërkon “izolim”

03/09/2017 00:00

Agjencia mbikëqyrëse e OKB-së për çështjet bërthamore e quan programin e Koresë së Veriut “një shqetësim tejet të rëndë”, pasi vendi i izoluar komunist, në të cilin ekspertët e kësaj agjencie nuk kanë qasje, zhvilloi testin e 6 bërthamor që prej vitit 2006.

“Testi i sotëm bërthamor nga Republika Demokratike Popullore e Koresë është një akt për t’u keqardhur ekstremisht. Unë sërish nxis palët të implementojnë tërësisht të gjitha rezolutat”, tha Yukiya Amano, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA). “Agjencia vazhdon të ndjekë nga afër zhvillimet në programin bërthamor të Koresë, që përbën një çështje tejet shqetësuese”.

Edhe Organizata e Traktatit për Ndalimin e Testeve Gjithëpërfshirëse (CTBTO), që monitoron të dhënat sizmike dhe radioaktive në mbarë botën, tha se shpërthimi ishte më i fuqishëm sesa ato të mëparshmit gjatë testeve të kaluara.

“CTBT”-ja ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore, por traktati hyn në fuqi vetëm nëse të gjitha vendet me kapacitete dhe teknologji të avancuar bërthamore do ta ratifikojnë atë. Mes këtyre vendeve janë Kina, Egjipti, Koreja e Veriut, India, Irani, Izraeli, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, edhe aleati më i afërt i Koresë së Veriut e ka dënuar aktin më të fundit të Penianit. Ministria e Jashtme kineze i bëri thirrje këtë të dielë Koresë së Veriut “të ndalojë veprimet e gabuara”, pas testimit nga Peaniani të një bombe të avancuar me hidrogjen.

Ministria, përmes një deklarate në faqen zyrtare të internetit, thotë se Kina kundërshton ashpër dhe dënon me forcë veprimet e Koresë së Veriut, vend të cilin e nxit të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Koreja e Jugut, gjithashtu, e shqetësuar bëri të ditur të dielën se testi sfidues bërthamor i Veriut duhet të përballet me kundërpërgjigjen më “të fuqishme të mundshme”, përfshi edhe sanksionet e reja të Këshillit të Sigurimit për “ta izoluar tërësisht” vendin komunist.

Seuli dhe Uashingtoni diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit, e duket se janë gati që SHBA të dërgojë asete strategjike ushtarake në gadishullin korean, pas refuzimit që u ka bërë Veriu komunist paralajmërimeve ndërkombëtare me zhvillimin e testit më të fuqishëm bërthamor deri më sot.

Edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka reaguar për testin e fundit bërthamor.

“Ky veprim është për të disatën herë në shkelje të papranueshme dhe të drejtpërdrejtë të detyrimeve të Koresë së Veriut për të mos prodhuar apo testuar armë bërthamore, siç përcaktohet në rezolutat e panumërta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e përbën një provokim madhor, një kërcënim të rëndë ndaj sigurisë rajonale e ndërkombëtare, si dhe një sfidë masive ndaj regjimit global kundër armëve bërthamore”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

“Mesazhi i Bashkimit Europian është i qartë: Koreja e Veriut duhet t’i braktisë programet bërthamore, të armëve të shkatërrimit në masë dhe të raketave balistike, në një mënyrë të plotë, të verifikueshme dhe të pakthyeshme. Madje të ndalë në mënyrë të menjëhershme të gjitha aktivitetet e lidhura me këto programe”, thotë Mogherini.

Top Channel