Shkatërrimet në Houston, ambientalistët: Qyteti u ndërtua në moçal

03/09/2017 00:00

Niveli i shkatërrimit nga përmbytjet në Houston duhet të shërbejë si “thirrje zgjimi” për të përmirësuar planifikimin e tij urban. Këto thirrje i bënë ambientalistët, në kohën kur presidenti Donald Trump ndaloi për një vizitë të dytë në rajonin e gjunjëzuar nga stuhia “Harvey”.

Eksperti i ndryshimeve klimatike pranë Këshillit të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, Joel Scata citohet të thotë se shkaku përse Houstoni dhe konteja Harris në afërsi të tij u goditën kaq rëndë nga uragani i kthyer në stuhi “Harvey”, duhet kërkuar te problemet e tij të Urbanistikës.

“Shpresoj që ‘Harvey’ të shërbejë për t’iu rënë kambanave të alarmit rreth këtij shqetësimi të madh”, tha Scata.

Kërkuesit e Universitetit Bujqësor dhe Mekanik të Teksasit kanë dalë në përfundimin se, urbanizimi i shpejtë i zonave moçalore që prej vitit 1995 e ka reduktuar në mënyrë drastike aftësinë e terreneve lokale për të thithur ujin e shiut.

“Harvey” lëshoi një nivel të paprecedentë shiu prej 1.3 metrash në 5 ditë, duke përmbytur 136 mijë ndërtesa e duke marrë 44 jetë njerëzish.

Të shtunën, Trump udhëtoi përsëri drejt Teksasit për të vizituar zonat e përmbytura, një ditë pasi i kërkoi Kongresit rreth 8 miliardë dollarë për përpjekjet e shpëtimit dhe të rimëkëmbjes. Ai shoqërohej nga zonja e pare, Melania.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi punën e palodhur të ekipeve të shpëtimit dhe punonjësve të ndihmës, në mbështetje të personave të prekur nga fatkeqësia natyrore. Pas Houstonit, ndalesa e radhës së presidentit është Lake Charles në Louisiana, për të parë dëmet e shkaktuara edhe atje nga stuhia “Harvey”.

Top Channel