Rrufeja plagos 15 persona në Francë. Dy në gjendje të rëndë

03/09/2017 00:00

Të paktën 15 persona janë plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, nga vetëtimat që ranë mbi një festival muzikor në verilindje të Francës. Mes të plagosurve ka edhe fëmijë, të cilët ishin strehuar nën tenda në momentin e stuhisë.

Rrufeja goditi disa ambiente të Festivalit “Vieux Canal”, në qytezën Azerailles, njoftoi këshilli rajonal përmes një deklarate. Viktimat janë “goditur drejtpërdrejt nga vetëtimat dhe kanë pësuar djegie”, njoftoi këshilli rajonal.

Një grua rreth të 60-ave dhe një burrë i moshës 44 vjeç raportohen të jenë në gjendje kritike, si pasojë e plagëve të marra nga rrufeja.

Pjesë të ndryshme të Francës, gjatë kësaj periudhe të vitit vihen shpeshherë në alarm nga stuhitë e dhunshme. Të plagosurit në incidentin e fundit morën ndihmën e parë mjekësore nga ekipet e emergjencës së festivalit, përpara se të transportoheshin nëpër spitalet lokale.

Të gjitha performancat e së shtunës u anuluan pas incidentit.

Top Channel