Opozita iraniane, liderja e rezistencës: Nuk jemi shuar

03/09/2017 00:00

“Regjimi iranian ka dështuar në qëllimin e tij të çrrënjosjes së forcave demokratike”, deklaroi presidentja e rezistencës iraniane, Marym Rajavi, përpara qindra diplomatëve, politikanëve dhe aktivistëve të mbledhur në ceremoninë përkujtimore të 52 pjestarëve të organizatës së muxhahedinëve të popullit, PMOI, të vrarë në mërgim, në Irak 4 vjet më parë.

Aktivistët politikë, sipas saj, u ekzekutuan nga qeveria e atëhershme e vendit, që po i strehonte me urdhër të regjimit të ajatollahëve.

“Katër vjet kanë kaluar që prej ekzekutimit masiv të anëtarëve të kësaj organizate në Ashraf, por skemat e vijueshme për anihilimin e PMOI kanë dështuar, ndërsa sakrificat e viktimave të tyre kanë frymëzuar e motivuar akoma më shumë protestat dhe gatishmërinë shoqërore. Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, mullahët as e kanë larguar ekonominë vendase nga pragu i falimentimit dhe as i janë përgjigjur kërkesave të shoqërisë sfiduese të vendit”, u shpreh Maryam Rajavi.

Në një tubim masiv të mbajtur sakaq të shtunën, në Hagë, pjestarë të komunitetit iranian në Hollandë, personalitete vendase dhe juristë ndërkombëtarë, i bënë thirrje qeverisë hollandeze të kthehet në kryesuesen e përpjekjeve për krijimin e një komiteti të pavarur, i cili të hetojë vrasjet e 30.000 të burgosurve politikë në Irak, në 1988-ën dhe t’i nxjerrë personat përgjegjës para drejtësisë.

Protestuesit, një pjesë e të cilëve të afërm të viktimave të asaj periudhe, theksuan se është koha, që pandëshkueshmërisë së zyrtarëve iranianë, të përfshirë në ato krime, t’i vijë fundi.

Top Channel