Koreja e Veriut, test të suksesshëm të bombës me hidrogjen

03/09/2017 00:00

Koreja e Veriut njoftoi testimin e suksesshëm të një arme bërthamore, që mund të ngarkohet në një raketë me rreze të gjatë veprimi. Shteti i izoluar komunist tha se testi i 6 bërthamor ishte një “sukses i përkryer”, vetëm pak orë pasi sizmiologët njoftuan për një tërmet të fuqishëm në tokë.

Peniani zyrtarizoi se kishte testuar një bombë me hidrogjen, një pajisje shumë herë më e fuqishme sesa një bombë bërthamore. Analistët thonë se pretendimet duhen trajtuar me kujdes, por ajo që nuk vihet më në dyshim është fakti se kapacitetet bërthamore të Veriut komunist po avancojnë.

Koreja e Veriut ka zhvilluar për herë të fundit një test bërthamor në shtator të vitit 2016. Peniani ka sfiduar sanksionet e vendosura nga OKB-ja, si dhe presionin ndërkombëtar kundër zhvillimit të armëve bërthamore apo testimit të raketave, që sipas synimit të vendit komunist duhet të arrijnë tokën amerikane.

Zyrtarë koreano-jugorë thanë se testi i fundit është zhvilluar në kantonin Kilju, ku ndodhet edhe siti bërthamor Punggye-ri i Koresë së Veriut. Tërmeti “artificial” ishte 9.8 herë më i fuqishëm sesa tërmeti që u shkaktua nga testi i 5-të bërthamor i Veriut, sipas agjencisë shtetërore të motit.

Testi erdhi vetëm pak orë pasi Peniani tha se kishte prodhuar në përmasa të vogla një bombë hidrogjeni, për ta përdorur në raketat me rreze të gjatë veprimi, ndërsa udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është parë teksa e inspektonte nga afër, atë që media shtetërore thotë se është një tip i ri i bombës me hidrogjen. Sipas kësaj të fundit, pajisja mund të ngarkohet nëpër raketa balistike.

Japonia dënoi testin, ndërsa presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in thirri një mbledhje urgjentë të Këshillit të Sigurisë.

Raportet e para nga Shërbimi Gjeologjik amerikan e përcaktuan tërmetin me magnitudë 5.6, me një thellësi 10 km, por më vonë shifrat u rritën: magnituda 6.3 dhe thellësia mbi sipërfaqen e tokës. Këto të dhëna mund ta kthejnë testin e kësaj fundjave në atë më të fuqishmin e zhvilluar ndonjëherë nga Koreja e Veriut.

Top Channel