Sulmi akustik ndaj ambasadës USA, dalin detaje të reja

02/09/2017 00:00

Sulmi akustik ndaj stafit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kubë u raportua muajin e kaluar nga autoritetet amerikane.

Fillimisht u mendua se incidentet kishin marrë fund shumë muaj më parë dhe Departamenti i Shtetit deklaroi se numri i anëtarëve të stafit që kishin raportuar probleme me shëndetin ishte 19.

Por tashmë çështja është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi sindikata që përfaqëson stafin diplomatik thotë se disa nga viktimat kanë pësuar dëme të rënda dhe disa madje kanë humbur përfundimisht dëgjimin.

Personeli diplomatik amerikan dhe një shtetas kanadez filluan të vinin re simptomat nga fundi i vitit të kaluar. Nga ana e saj, qeveria kubaneze mohon çdo përfshirje në këto sulme dhe deklaron se po heton ngjarjen.

Sidoqoftë, në gusht qeveria amerikane reagoi duke dëbuar dy diplomatë kubanezë nga Uashingtoni. Autoritetet deklaruan atëherë se dëbimi vinte në shenjë proteste ndaj dështimit të autoriteteve kubaneze për të mbrojtur stafin diplomatik.

Dyshohet që sulmet të jenë kryer me pajisje sonike, që kanë lëshuar valë zanore të padëgjueshme, që mund të shkaktojnë humbjen e dëgjimit, raportojnë mediat amerikane.

Ditën e premte, qeveria e Shteteve të Bashkuara konfirmoi se një incident i tillë kishte ndodhur edhe në muajin gusht dhe se numri i anëtarëve të personelit që raportojnë probleme është rritur.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë që raste të reja të shfaqen, teksa mjekët tanë profesionistë po mbikëqyrin gjendjen shëndetësore të komunitetit diplomatik”, ka deklaruar zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Sidoqoftë, Departamenti i Shtetit nuk ka fajësuar ende askënd për ngjarjet. Misioni i Shteteve të Bashkuara në Havana u rihap në formën e ambasadës në vitin 2015, pas 50 vitesh armiqësi mes dy vendeve.

Top Channel