Siri, koalicioni bllokon në shkretëtirë autokolonën e ISIS

02/09/2017 00:00

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se do të vazhdojë të mbajë të bllokuar një autokolonë me militantë të Shtetit Islamik në Siri, me qëllim që të mos arrijnë zonën në kufi me Irakun.

Qindra luftëtarë të ISIS së fundmi janë tërhequr nga enklava siriane në kufi me Libanin. Ata ranë dakord me Hezbollah dhe qeverinë siriane që të largoheshin me familjen e tyre drejt lindjes së vendit.

Por koalicioni thotë se ai vetë dhe Iraku nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes, ndaj dhe të mërkurën bombardoi rrugën që të çon drejt destinacionit ku janë nisur rebelët.

Autobusët tashmë kanë ngelur të bllokuar në një zonë të shkretëtirës, nën kontrollin e trupave qeveritare siriane, mes qyteteve Humajama dhe Al-Sukhnah.

“Koalicioni nuk do të lejojë luftëtarët e ISIS të avancojnë në lindje, drejt kufirit iraken. Zhvendosja e terroristëve nga njëri vend në tjetrin, pa u marrë vesh me tjetrin, nuk është një zgjidhje afatgjatë”, thuhet në një deklaratë.

Në autokolonë ndodhen rreth 300 militantë të ISIS, të cilësuar nga koalicioni ndërkombëtar si “luftëtarë me eksperiencë”.

Sidoqoftë koalicioni nënvizon se nuk i ka bombarduar ata sepse bashkë me ta janë gra dhe fëmijë. Gjithashtu, në deklaratë thuhet se qeverisë siriane i janë dhënë sugjerime për të shpëtuar gratë dhe fëmijët.

Top Channel