Përmbytjet në Teksas, Shtëpia e Bardhë i kërkon fonde shtesë Kongresit

01/09/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë do t’i kërkojë Kongresit fonde shtesë në ndihmë të personave të prekur nga uragani Harvey.

Populli amerikan është me ju, tha zëvendëspresidenti Mike Pence gjatë një vizite në Teksas. Ne do të jemi këtu çdo ditë, shtoi ai, derisa qyteti i Hjustonit, i gjithë shteti dhe i gjithë rajoni të rimëkëmben më mirë sesa përpara.

“Aftësia ripërtëritëse e popullit të Teksasit ka qenë frymëzim për të gjithë ne. Të shohësh njerëz që kanë kaluar nëpër tmerrin e njërës prej katastrofave më të mëdha natyrore në historinë e Amerikës duke qëndruar krah për krah njëri-tjetrit, duke i kaluar fqinjëve ushqime, duke i ndihmuar të pastrojnë shtëpitë e përmbytura me buzëqeshjen të vizatuar në fytyrë, kjo më ngjall vetëm respekt e nderim”, tha Pence.
 
Nga sa raporton Associated Press, Trump pritet të propozojë një paketë fillestare ndihme prej 5.9 miliardë dollarë. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott deklaroi se shtetit të gjunjëzuar nga stuhia mund t’i nevojiten më shumë se 125 miliardë dollarë nga qeveria federale.

Bilanci i vdekjeve nga moti ekstrem ka mbërritur tani në 39, ndërsa në lindjen e Hjustonit niveli i ujit të përmbytjeve vazhdon të rritet. Pence sqaroi se 311 000 vetë janë regjistruar për asistencë nga fatkeqësia natyrore dhe shtoi se shpreson që kërkesa për financim të marrë mbështetjen e të dyja palëve në Kongres. Nuk është ende e qartë sesa shpejt do të mbërrijnë fondet e ndihmës tek viktimat e atij që nisi si uragan i kategorisë së katërt për tu zbutur më pas në stuhi tropikale, por që dhe kjo mjaftoi të mbulonte në ujë një të tretën e Hjustonit.

Shtëpia e Bardhë thotë se Trump do të dhurojë 1 milion dollarë nga paratë e tij për të dëmtuarit e Harvey-t. Nga përpjekjet e shpëtimit, vëmendja tani po spostohet ngadalë tek rimëkëmbja e qytetit, megjithatë banorët janë këshilluar që të mos kthehen në shtëpitë e tyre derisa të marrin njoftimin se një veprim i tillë do të ishte i sigurtë.

Top Channel