Myslimanët në mbarë botën festuan Kurban Bajramin

01/09/2017 00:00

Myslimanët në të gjithë botën festuan Kurban Bajramin, festë kjo që mbahet gjatë Haxhit, pelegrinazhit të përvitshëm në Mekë.

Kurban Bajrami, i njohur edhe si “Festa e sakrificës”, është një nga dy datat më të rëndësishme të kalendarit islamik. Ajo festohet në nder të vullnetit të Profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij për hir të Zotit.

Më shumë se dy milionë myslimanë kanë kryer ritet e fundit në pelegrinazhin e Haxhit në Arabinë Saudite. Qindra e mijëra vetë qëlluan me gurë 3 shtyllat e gurit, që përfaqësojnë vendin ku besohet se djalli tentoi t’i fliste Ibrahimit kundër vullnetit të Zotit.

Pjesa më e madhe e pelegrinëve qëndrojnë në Mekë deri të hënën, para se të përfundojnë Haxhin. Pas qëllimit me gurë të shtyllave, ata do të ecin përreth qabesë në formë kubi në Mekë, vendin më të shenjtë të Islamit, para se të largohen.

Qabeja përfaqëson shtëpinë metaforike të Zotit dhe ekzistencën e një Zoti në Islam. Besimtarët myslimanë në të gjithë botën drejtohen me fytyrë nga qabeja, në 5 lutjet e përditshme.

Ndërkohë, Kurban Bajrami u festua në Jeruzalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza. Në Afganistan, festa u shoqërua me apele për unitet.

Në Filipine, myslimanët u lutën për paqe pas muaj luftimesh mes militantëve të lidhur me Shtetin Islamik dhe ushtrisë.

Në Egjipt dhe Jordani, shpresa për paqe dhe një jetë më të mirë ishte në fokus të faljeve të Kurban Bajramit. Në Jordani, edhe refugjatët nga Siria dhe Iraku, të detyruar të largohen nga vendet e tyre të prekura nga lufta, iu bashkuan lutjeve.

Top Channel