Teksas, shpërthim në impiantin kimik. S’ka rrezik toksik

31/08/2017 00:00

Dy shpërthime dhe një zjarr kanë prekur një impiant kimi në një zonë të përmbytur të Houstonit mëngjesin e së enjtes, duke lëshuar shtëllunga tymi përreth, që autoritetet federale i përshkruan si “tejet të rrezikshme”, duke u shndërruar kështu në një rrezik të ri potencial pas asaj që shkaktoi stuhia “Harvey”.

Shpërthimet që ndodhën në impiantin “Arkema Inc.”, rreth 40 km në verilindje të Houstonit, shkaktuan flakë që arrinin lartësinë 9-12 metra. Zyrtarët lokalë këmbëngulin se nga shpërthimi nuk ka përhapje të lëndëve toksike.

Ngjarja ndodhi në kohën kur nivelet e jashtëzakonshme të ujërave si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit nisën të tërhiqeshin, e teksa kërcënimi nga stuhia e rrezikshme është kthyer tashmë në një rajon midis Teksasit dhe Louisianës.

Autoritetet zjarrfikëse thanë se shpërthimi ishte i vogël dhe se disa persona patën probleme nga irritimi i syve prej tymit, por theksuan se materialet që u dogjën nga zjarri pak pas mesnate nuk ishin toksike.

Në një konferencë për shtyp në Uashington, administratori i Agjencisë federale për Menaxhimin e Emergjencave, Brock Long tha për reporterët se shtëllunga e tymit ishte e rrezikshme.

Në zonën kryesisht rurale që rrethon impiantin, zyrtarët thanë se kishin shkuar derë më derë për t’iu shpjeguar banorëve situatën dhe u bëri thirrje atyre që të evakuoheshin, por largimi nuk ishte i detyrueshëm.

Top Channel