Reforma për punësimin, sfida e madhe e presidentit Macron

31/08/2017 00:00

Në Francë, qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka nisur punën për reformimin e ligjit të rreptë të punës në vend, duke u dhënë fillimisht detajet krerëve të sindikatave dhe bizneseve, ndërkohë që më pas do t’i kalojnë edhe publikut.

Macron ka premtuar një “revolucion” për çlirimin e energjive të krahut të punës, duke e bërë më të lehtë për pronarët punësimin dhe shkarkimin.

Por një seri protestash janë paralajmëruar të mbahen muajin e ardhshëm kundër kësaj reforme, edhe pse një prej sindikatave më të mëdha ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë.

Jean Claude Mailly, kryetar i grupit sindikalist Force Ouvriere, vlerësoi konsultimet dhe dialogun social me qeverinë dhe bëri me dije se nuk do të luante asnjë rol në protestat e 12 shtatorit.

Një tjetër sindikatë e rëndësishme, CFDT, ka gjithashtu pak gjasa që të marrë pjesë në protesta, të cilat po organizohen nga grupimi i ekstremit të majtë CGT. Kryetari i këtij të fundit, Jean Luc Melenchon ka paralajmëruar manifestime të tjera më 23 shtator.

Aktualisht Franca ka një papunësi prej 9.5 për qind, dyfishi i shifrës së vendeve me ekonominë më të madhe të Europës dhe Macron është zotuar ta shkurtojë atë me 7 për qind brenda vitit 2022.

Kodi francez i Punës është rreth 3 mijë faqe i gjatë dhe shihet nga bizneset si një “këmishë force”. Paketa me 60 masa e kreut të shtetit është hartuar në vetëm 150 faqe nga ministri i Punës, Muriel Penicaud dhe më vonë gjatë ditës kryeministri Edouard Philippe do t’ia prezantojë publikut.

Top Channel