Makina për pak godet autokolonën e Donald Trump

31/08/2017 00:00

Udhëtimi i Donald Trump drejt Misurit për një takim me mbështetësit e tij, pati një episod të pakendshëm.

Autokolona presidenciale ishte duke udhëtuar me shpejtësi në autostradë, kur në një moment një makinë del nga një zonë e pyllëzuar aty pranë.

Kanali i vendosur në anë të rrugës e pengoi mjetin që të rrezikonte seriozisht autokolonën e sigurisë së Donald Trump, që vazhdoi e pashqetësuar rrugën.

Pamjet filmike të qytetarëve që kishin dalë në anë të rrugës dhe po xhironin me telefonat e tyre u shpërndanë menjëherë në internet dhe fillimisht lajmi që qarkulloi ishte ai që fliste për një tentativë sulmi ndaj Presidentit amerikan.

Por ajo që qetësoi gjithçka ishte deklarata e policisë, që tha se nuk bëhej fjalë për një përpjekje për të sulmuar autokolonën presidenciale, por për një incident të ndodhur në kohën e gabuar dhe vendin e gabuar.

Sipas policisë, mjeti në fjalë ishte duke udhëtuar në një rrugë dytësore kur ka pësuar probleme me sistemin e frenimit dhe për pasojë ka kaluar përmes pemëve aty pranë dhe ka përfunduar në autostradë.

Top Channel