Konflikti me Korenë, Mattis: Nuk heqim dorë nga diplomacia

31/08/2017 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk e përjashtojnë kurrë zgjidhjen diplomatike në kontekstin me Korenë e Veriut.

Deklarata e shefit të Pentagonit vjen pasi presidenti Donald Trump postoi një ditë më parë në Twitter mesazhin se, “bisedimet nuk janë një përgjigje” ndaj ambicjeve ushtarake të Veriut.

Edhe Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër opsionit ushtarak, duke deklaruar se ai do të shkaktonte “pasoja të paparashikueshme”.

Korea e Veriut alarmoi mbarë komunitetin ndërkombëtar pasi qëlloi një raketë që fluturoi mbi Japoni ditën e martë. Raketa, të cilën qeveria japoneze e cilësoi një “kërcënim të papreçedentë”, përshkoi zonën veriore të rajonit të Hokaidos, duke alarmuar banorët.

Peniani tha më vonë se ky test ishte hapi i parë i një sërë operacioneve ushtarake më të gjera në Paqësor dhe përsëriti kërcënimet ndaj ishullit amerikan të Guamit.

Gjithashtu, në një koment, agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e cilësoi Japoninë një “armik të betuar” dhe e paralajmëroi atë se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara vetëm sa po përshpejtonte vetëshkatërrimin e saj.

Vetëm pak ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump tha se besonte se lieri koreano-verior Kim Jong un kishte filluar të respektonte SHBA.

Por në një postim ditën e djeshme ai tha: “Amerika ka 25 vjet që flet me Korenë e Veriut dhe i paguan asaj para në formë zhvatjeje. Bisedimet nuk janë zgjidhje”.

Por, kur është pyetur nëse është e vërtetë që Uashingtoni ka humbur shpresat në rrugën diplomatike, Mattis është shprehur kundër qëndrimit të presidentit. “Jo. Nuk heqim dorë kurrë nga zgjidhjet diplomatike”, ka thënë ai.

Këto komente Mattis, i njohur në qarqet ushtarake me nofkën “qeni i tërbuar”, i ka bërë pas një takimi me homologun koreano-jugor Song Young moo në Pentagon.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Unë dhe ministri ndamë përgjegjësinë e përbashkët për të mbrojtur vendet, popujt dhe interesat tona”, ka thënë Mattis.

Top Channel