“Brexit”, Barnier: Ende asnjë progres domethënës

31/08/2017 00:00

Kryenegociatori i Bashkimit Europian për “Brexit”-in, Michel Barnier njoftoi se nuk ka ende një progres domethënës në çështjet kyçe të bisedimeve me Britaninë e Madhe. Ai thotë se dy palët ishin mjaftueshëm larg të qenit në një pozicion për të nisur bisedimet mbi marrëveshjet e ardhshme të tregtisë.

Ai pretendon se Britania e Madhe “nuk ndihet ligjërisht e detyruar” të respektojë “detyrimet” e saj pas shkëputjes nga blloku në mars të vitit 2019.

Por Sekretari britanik për “Brexit”-in, David Davis nxiti BE-në të jetë “më produktive dhe elastike” në sjelljen e saj. Ky i fundit thotë se, sipas mendimit të tij, ka pasur një progres të caktuar dhe konkret gjatë raundit të tretë të bisedimeve në Bruksel.

Gjatë një konference të përbashkët, Barnier pranoi se ka pasur diskutime të frytshme sa i përket çështjeve që rrethojnë marrëdhëniet mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut, por ai foli me një ton përgjithësisht pesimist.

Ai theksoi gjithashtu se ndihet “i paduruar”. “Nuk jam i irrituar, por i paduruar dhe i vendosur” në lidhje me progresin e negociatave, është shprehur ai.

Britania e Madhe kërkon të nisë bisedimet mbi tregtinë sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa Brukseli këmbëngul se diskutimet mbi marrëdhëniet e ardhshme pas “Brexit”-it do të mund të nisin vetëm pasi të jetë bërë “progres i mjaftueshëm” në marrëveshjet e shkëputjes, përfshi këtu të ashtuquajturën “faturë të divorcit”.

Barnier tha se me hapat aktualë të progresit, ai ndodhet ende larg pozicionit për të pasur mundësi të rekomandojë hapjen e bisedimeve paralele mbi marrëdhënien e ardhshme tregtare me Britaninë e Madhe. Ai përmendi dy fusha, ku “besimi” duhet të ngrihet mes dy palëve: ajo e të drejtave të qytetarëve dhe fatura financiare, duke theksuar se 27 vendet anëtare të bllokut nuk duhet të paguajnë aspak për detyrimet që kishin marrë përsipër 28 shtete anëtare.

Top Channel