“Harvey” përplaset mbi Louisiana. Përmbytje e 20 viktima në Houston

30/08/2017 00:00

Pasi la pas përmbytje e shkatërrim në Teksas, stuhia tropikale “Harvey”, më e ashpra në Shtetet e Bashkuara prej më shumë se një dekade, ka mbërritur në Louisiana. Rajonet e ulëta si New Orleans, i shkatërruar nga uragani “Katrina” në vitin 2005, po përgatiten për gati 25 cm shi gjatë 36 orëve të ardhshme dhe për rrezikun e vërshimeve të furishme të ujit.

Pjesë të tëra të Houstonit në Teksas janë mbuluar nga uji, e mbi 20 persona raportohet tani të kenë humbur jetën prej motit ekstrem. Në qytetin e katërt më të populluar të Amerikës, gjatë natës u vendos ndalimqarkullimi.

Kryebashkiaku Sylvester Turner e pranoi se, një masë e tillë ishte e domosdoshme. Ndalimi i lëvizjes nis nga mesnata e vazhdon deri në 5 të mëngjesit, me orën lokale. Prej tij përjashtohen vullnetarët në përpjekjet e ndihmës, si dhe ata që shkojnë në punë.

Sipas Turner, në këtë mënyrë po tentohet parandalimi i dhunimit të pronës private dhe akteve të mundshme kriminale. Ka pasur disa raporte për vjedhje, grabitje të armatosura, e persona që hiqeshin si efektivë policie.

“Qëndrimi nëpër rrugë në orët e vona të mbrëmjes është i rrezikshëm. Ka shumë njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre, të cilët tani janë nëpër strehime. Nuk dua që ata të shqetësohen se dikush po u hyn në shtëpi e po i vjedh”, tha Sylvester Turner, kryetar bashkie i Houstonit.

Presidenti Donald Trump ishte në Teksas të martën, për të parë nga afër dëmet e stuhisë të cilën e etiketoi si “epike”. Përpara se të mbërrinte atje, shefi i Shtëpisë së Bardhë premtoi se qeveria federale do të ofronte të gjithë asistencën dhe ndihmën financiare, që do t’i nevojitet këtij shteti dhe Louisianës fqinje, për t’u rimëkëmbur nga dëmet e shkaktuara nga furtuna.

Top Channel