Guami, sërish në shënjestër. Koreja e Veriut u rikthehet kërcënimeve

30/08/2017 00:00

Lëshimi i raketës mbi Japoni ishte vetëm preludi i operacioneve të tjera ushtarake të drejtuara nga territori amerikan i Guamit.

Peniani iu rikthye sërish kërcënimit ndaj ishullit të Paqësorit, të shndërruar në objektivin e zemërimit koreano-verior me Uashingtonin.

Në vitin 2013, Peniani e përmendi Guamin për arsye të ngjashme dhe të njëjtën gjë bëri edhe në fillim të këtij muaji, pas shkëmbimit të egër të kërcënimeve dhe fyerjeve mes regjimit të atjeshëm dhe presidentit Donald Trump.

Agjencia shtetërore e lajmeve njoftoi se, lëshimin e së martës e kishte mbikëqyrur vet Kim Jong-un, duke e përshkruar sistemin raketor të përdorur si ultramodern. Kjo ishte e para raketë e nisur ndonjëherë nga kryeqyteti.

Kim, sipas zyrtarëve koreano-veriorë, është shumë i kënaqur me performancën e arritur. Analistët mendojnë se prova e fundit ishte e ngjashme me planet që shteti komunist kishte njoftuar më parë për të lëshuar raketë mbi ishullin e Guamit, por që më pas u anuluan.

Trump e kritikoi lëshimin, duke thënë se Peniani ka dëshmuar edhe këtë herë se “përbuz fqinjët, të gjithë anëtarët e OKB-së dhe standardet minimale të sjelljes ndërkombëtare”. Përmes një deklarate, presidenti përsëriti edhe këtë radhë se “të gjitha opsionet mbeten të hapura”.

Top Channel