Avokati i Trump: Biznesi me Moskën “do ta zgjidhte president”

30/08/2017 00:00

Firma imobiliare e presidentit amerikan, Donald Trump, i kishte konkretizuar që në kohën e fushatës elektorale planet e saj për ndërtimin e një kulle të re në Moskë.

Vet avokati i Trumpit, Michael Cohen e konfirmoi këtë gjatë një prononcimi për Komisionin hetimor të Dhomës amerikane të Përfaqësuesve.

Komisioni në fjalë, ashtu si dhe hetuesi i posaçëm Robert Müller, po hetojnë nëse gjatë fushatës ka pasur ndikim të Rusisë dhe nëse ka ekzistuar ndonjë ujdi mes ekipit të Trumpit dhe instancave ruse.

Pjesëmarrja e manjatit në ndërtimin e ri në Moskë do të binte kështu ndesh me deklaratat e tij se nuk ka pasur marrëdhënie pune me rusët.

Cohen konfirmoi se, së bashku me Felix Sater, një njeri me lidhje të mira në Rusi, kanë punuar për projektin imobiliar. Ai pretendon se në vitin 2016, ai ka pasur dyshime për zbatueshmërinë e projektit, e për këtë arsye nisma u mbyll në dosje.

Avokati i Trumpit pati thënë për televizionin “ABC News” se, vitin e kaluar projekti ishte në fazën e planifikimit, e mendohej për një kullë si ajo “Trump Tower”. I pari që raportoi mbi planin spektakolar ka qenë “Washington Post”, që shkruante se negociatat kanë vazhduar edhe përgjatë fushatës.

Pas tij, “New York Times” publikoi pjesë “e-mail”-esh të shkëmbyer mes Sater dhe Cohen.

“E kam rregulluar, – shkruante Sater nëntorin e vitit 2015, – që Ivanka të ulet në karrigen personale të Putinit, në zyrën e tij në Kremlin. Do ta tërheq Putinin në këtë program dhe do të bëj që Trump të zgjidhet. E di si ta luaj këtë lojë dhe do ta kryejmë këtë punë. Shoku, djali ynë mund të bëhet president i SHBA-ve dhe këtë ne mund ta kurdisim”, ishin mesazhet e tij.

Nuk ka sidoqoftë asnjë provë që Sater e zbatoi premtimin e theksuar në këtë korrespondencë. Ivanka Trump ka sqaruar se e ka vizituar shkurtimisht “Sheshin e Kuq” dhe Kremlinin, por thotë se asnjëherë nuk e ka takuar Putinin, ashtu siç pretendonte Sater.

Top Channel