Raketa e Koresë mbi Japoni, Trump: Të gjitha opsionet, mbi tryezë

29/08/2017 00:00

Donald Trump reagoi pas lëshimit të raketës koreano-veriore mbi Japoni, që bëri të bien sërish kambanat e luftës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e përjashtoi mundësinë e një veprimi ushtarak.

“Bota e dëgjoi fort dhe qartë mesazhin e fundit të Koresë së Veriut. Ky regjim e ka sinjalizuar tashmë përbuzjen për fqinjët e tij, për të gjithë pjesëtarët e Kombeve të Bashkuara dhe për standardet minimale të një sjelljeje ndërkombëtare të pranueshme. Veprimet kërcënuese dhe destabilizuese vetëm sa e rrisin izolimin e këtij vendi, në rajon dhe në botë. Të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha Trump.

Lëshimi u konsiderua nga kryeministri japonez, Shinzo Abe, si kërcënim i paprecedentë ndaj vendit të tij. Raketa e hedhur orët e para të mëngjesit fluturoi mbi ishullin e Hokkaidos, përpara se të binte në det.

Besohet se është fjala për një raketë mjaftueshëm të fuqishme sa për të bartur një kokë me mbushje bërthamore. Sipas ushtrisë koreano-jugore, ajo është lëshuar drejt lindjes në 6 të mëngjesit, nga një zonë pranë Penianit, gjë që konsiderohet diçka e rrallë.

Verifikimet fillestare tregojnë se ajo ka fluturuar për më shumë se 2.700 km, e ka mbërritur lartësinë 550 km, kjo më e ulët se në testet e mëparshme, për të rënë më pas në veri të Paqësorit, ku është thyer në 3 pjesë. Autoritetet japoneze nuk bënë asnjë përpjekje për ta rrëzuar, por banorët e Hokkaidos u këshilluan të strehoheshin në ndërtesa sa më të qëndrueshme, apo bodrume.

Incidenti i ka shqetësuar japonezët, të cilët nisën menjëherë nga protestat.

“Qytetarët e Japonisë janë të ekspozuar ndaj rrezikut, e për këtë, unë Korenë e Veriut nuk do ta fal dot kurrë”, tha Kohei Toyama, student.

“Kjo është shumë shqetësuese, si në këndvështrimin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të Japonisë. Edhe Shtetet e Bashkuara duken thellësisht të trazuara”, tha Mitsunori Shima, banor.

Peniani ka kryer disa testime shqetësuese kohët e fundit, por kjo është hera e parë që përdor një armë balistike mbi Japoninë fqinje. Ka pasur dy raste të mëhershme, kur raketat e tij kanë kaluar në Japoni, në vitin 1998 dhe vitin 2009, megjithatë, vendi komunist pati sqaruar atëherë se bëhej fjalë për mekanizma të lëshimit të satelitëve dhe jo armëve të mirëfillta.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së njoftoi një mbledhje urgjente në përgjigje të episodit të rrezikshëm. Australia dhe Tajvani e dënuan me forcë veprimin provokues, ndërsa avionët e Seulit simuluan bombardime në kufi.

Top Channel