Katedralja “Notre-Dame” ka nevojë urgjente për restaurim

29/08/2017 00:00

Arkipeshkvia e Parisit ka nisur një fushatë për mbledhjen e 100 milionë eurove, në përpjekje për të shpëtuar statujat dhe harqet gotike të Katedrales “Notre-Dame”.

Çdo vit, 12 deri në 14 milionë njerëz vizitojnë katedralen pariziene 12-shekullore, në një ishull në lumin e Senës. Ndërtimi i saj nisi 850 vite më parë, por ndotja dhe kalimi i kohës kanë bërë që pjesë të saj të shemben.

“Katedralja Notre-Dame duhet të gjejë me urgjencë 100 milionë euro në mënyrë që të shpëtojë. Ka dy zona që duken sikur po shemben, të parat janë kupolat që kanë nevojë për punime urgjente. Na duhen 12 milionë euro për të shpëtuar atë koleksion të mahnitshëm që ngrihet në 96 metra lartësi, e nëse nuk ia dalim ato do të shemben. Në një skenar katastrofik, ato rrezikojnë të shemben dhe të marrin me vete edhe të gjithë çatinë”, tha Andre Finot, drejtor i komunikimeve i Katedrales.

Shefi i komunikimeve thotë gjithashtu se punëtorët, gjatë restaurimit të shekullit të XVIII mund të jenë gënjyer dhe të kenë blerë gurë të një cilësie jo të mirë, gjë që është e dukshme në mungesën e uniformitetit mes njëri-tjetrit.

Zyrtarët e kishës, që kanë krijuar atë që e quajnë varrezë gurësh nga pjesët e rëna, thonë se katedralja mbetet një vend i sigurtë për t’u vizituar. Hyrja në katedrale është pa pagesë dhe shteti francez, që zotëron ndërtesën, akordon 2 milionë euro në vit për riparime. Por kjo nuk mjafton për punime të mëdha restaurimi, me më të fundit që janë kryer gjatë viteve 1800.

“Notre-Dame”, prej kohësh ka tërhequr turistë nga e gjithë bota. Ajo është e famshme në kulturën popullore për shkak edhe të librit të Victor Hugo, “Katedralja e Parisit”.

“Ajo është simboli i Parisit, apo edhe i francës. Është shumë e famshme, njësoj si qyteti i ndaluar në Kinë. Është një vend që duhet të vizitohet patjetër, kur je në Paris”, tha Ellen Liang, turiste.

Autoritetet e kishës thonë se fama e katedrales në të gjithë botën do të tërheqë donatorë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel