Houston, përmbytje rekord. Niveli i ujit rritet me shpejtësi

29/08/2017 00:00

Qyteti i Houstonit është duke u zhytur nën ujë. Niveli i tij po rritet ndjeshëm si pasojë e reshjeve rekord të shiut, të cilat duket se do të vazhdojnë edhe për disa ditë. Pamjet filmike të realizuara me “drone” tregojnë përmasat e frikshme të përmbytjeve.

Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë të ethshme, por ndërsa pjesa më e madhe e qytetit përballet me vërshimin e ujërave, në qendër të tij kanë plasur zjarret.

Evakuimet janë duke u zhvilluar në mënyrë të organizuar. Njerëzit po dërgohen nëpër streha të përkohshme, të ngritura në pikat më të larta të qytetit. Qindra operacione shpëtimi janë ndërmarrë në të gjithë zonën, me ekipe të pajisura me helikopterë, anije dhe kuaj nëpër ujërat e përmbytjeve.

Vullnetarët u janë bashkuar policisë, si dhe ekipeve të zjarrfikësve dhe atyre mjekësore. Po ndihmojnë gjithashtu 3.000 anëtarë të Gardës Kombëtare. Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë njoftoi një ditë më parë se po fillonte shkarkimin e kontrolluar të dy rezervuarëve, për të parandaluar përmbytjet e mëtejshme. Shkarkimi i ujit do të vazhdojë për disa javë.

Bilanci i fatkeqësise natyrore deri tani është 10 të vdekur e 30 mijë të shpërngulur. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott shpalli gjendjen e katastrofës në një të katërtën e qarqeve të shtetit, duke lejuar qeverinë të shpejtojë ndihmën financiare për ato zona.

Çdo autostradë e madhe brenda dhe jashtë Houstonit është kthyer në një lumë dhe dy aeroportet e qytetit janë mbyllur. “Harvey”, i kthyer nga uragan në stuhi tropikale, tani po lëviz drejt Louisianës, ku Neë Orleansi i shkatërruar nga “Katrina” në vitin 2005 përgatitet tani për një valë të re përmbytjesh. Gjatë ditës, Teksasi, e mbase edhe Louisiana, pritet të vizitohen nga presidenti Donald Trump.

Top Channel