Përmbytjet katastrofike në Teksas, më e keqja pritet të vijë

28/08/2017 00:00

Përmbytjet katastrofike në shtetin amerikan të Teksasit, vetëm sa do të përkeqësohen në ditët në vijim pasi niveli i ujërave vazhdon të rritet pas një stuhie të përmasave historike. Një rekord prej 75 cm shi ka rënë në qytetin e Hjustonit pas uraganit “Harvey”, duke i shndërruar rrugët në lumenj. Por, parashikuesit thonë se shifra mund edhe të dyfishohet në ditët në vazhdim.

Të hënën, presidenti Donald Trump miratoi gjendjen e emergjencës edhe për Luizianën fqinje. “Harvey” preku tokën si një uragan i kategorisë së katërt të premten, duke sjellë me vete përmbytje të përshkruara nga zyrtarët si të paprecedenta.

Më vonë, ai u deklasifikua në një stuhi tropikale. Mbi 2 mijë persona janë shpëtuar në dhe përreth Hjustonit, qyteti i katërt më i madh në SHBA, kur rreth 6.6 milionë njerëz jetojnë në zonën metropolitane. Në zonë, pritet që brenda vetëm një jave, të bjerë sasia e reshjeve të një viti të tërë. pesë persona raportohen deri tani të vdekur. Helikopterët ndërkohë kanë shpëtuar njerëzit e ngjitur nëpër çatitë e shtëpive.

Zyrtarët thonë se rreth 30 mijë vetë janë strehuar në qendrat e emergjencës. Përmbytjet katastrofike dhe që kërcënojnë jetët e njerëzve do të vazhdojnë në Teksasin jug lindor – tha qendra kombëtare e uraganeve të hënën. Reshje shtesë deri në 60 centimetra pritet të bien. Shërbimi kombëtar i motit tha se më e keqja pritet ende të vijë, të mërkurën apo të enjten edhe pse ka momentalisht paqartësi për trajektoren që do të ndjekë stuhia.

Top Channel