Pasardhësi i Carit: Rusisë i duhet një lider i fortë

28/08/2017 00:00

Një shekull pasi revolucioni i tetorit i dha fund sundimit tre shekullor të familjes së tij në Rusi, stërnipi i Carit, Hans Georg Yourievsky, tha të premten se vendi ka nevojë për një lider të fortë.

I lindur dhe i rritur në Zvicër, Yourievsky, ka lidhje gjaku me Carin Aleksandër i II, reformatori i njohur edhe si çlirimtari që i dha lirinë bujqve rusë, modernizoi sistemin ligjor dhe këmbënguli për një kushtetutë që do të hapte rrugën për demokraci në Rusi.

Bolshevikët, vranë Carin Nikolla II dhe familjen e tij, pasardhës të dinastisë Romanov, por linja e Yourievsky nga bashkëshortja e dytë e Aleksandrit të II, vazhdoi. Për 55-vjeçarin Yourievsky, i fundit stërnip në jetë i një perandori rus, vrasja e stërgjyshit të tij nga revolucionarët shënoi fillimin e fundit të dinastisë mbretërore dhe një shans të humbur për të ecur drejt një monarkie kushtetuese, rend ky që ka lulëzuar në vende të tjera evropiane.

Yourievsky që u rrit duke folur gjermanisht dhe anglisht, rusishtja e të cilit është e çalë, hodhi poshtë perspektivën që familja e tij të rikthehet ndonjëherë në fron në rusi. Ai dhe familja e tij besojnë se diçka e tillë as që diskutohet tani, por shtoi se historia gjithnjë ka treguar se mund të ketë kthesa të papritura.

Në fakt, thotë ai, Rusia moderne e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin, nuk është shumë e ndryshme nga një monarki kushtetuese.

“Rusia gjithmonë ka nevojë për një lider të fortë, pavarësisht se si quhet ai. Ai që ka tani, është Putin, dhe ai është një lider shumë i fortë, karizmatik dhe ai që përfundimisht vendi ka nevojë. Ndaj, mund të themi se Rusia nuk është shumë larg një sistemi modern demokratik, kushtetues. Teorikisht është e mundur”, tha ajo.

Top Channel