Dueli Berisha-Strakosha. Portierët: Jemi shokë, rëndësi ka të fitojmë

28/08/2017 00:00

Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë më 2 dhe 5 shtator dy përballjet e radhës të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018, tashmë me një fytyrë të re në pankinë, por me një rikthim në ekip, atë të Etrit Berishës, i cili mungoi deri në sfidën e fundit ndaj Izraelit për shkak ndëshkimi.

Ndërsa për Kombëtaren kuqezi janë dy ndeshje të rëndësishme sa i përket perspektivës në të ardhmen, duke i dhënë mundësi trajnerit Panucci të njihet me grupin e lojtarëve dhe të përgatitet sa më mirë për kualifikueset e Europianit të ardhshëm, për Berishën mund të flitet për një sezon tejet të mirë në nivel personal me Atalantën në Serie A.

“Ky është grumbullimi i parë me kombëtaren pas një viti a më shumë. Ndihem i gëzuar, sepse më mungonte kombëtarja. Mezi pres t’i bashkohem grupit dhe të vihem nën urdhrat e trajnerit të ri. Shpresojmë të vazhdojmë rrugëtimin tonë dhe sukseset me ekipin kombëtar”, është shprehur Berisha.

Me Panuccin ka komunikuar shumë pak në telefon, teksa i është bërë edhe prezantimi si trajneri i ri i Shqipërisë, ndërsa në këtë grumbullim do të bëhet edhe përballja e parë fizikisht e tij me grupin e lojtarëve.

Sa i përket konkurrencës për mbrojtjen e katërkëndëshit kuqezi, ku Berisha duelon me Thomas Strakoshën që po kalon gjithashtu një formë të mirë te Lacio, Etriti është shprehur se kjo është diçka e mirë për ekipin dhe trajnerin.

“Konkurrenca është diçka pozitive, për shkak se trajneri ka mundësi të zgjedhë, dhe jo vetëm për repartin më të tërhequr, por për të gjitha repartet e tjera. Është një plus që i shërben shumë kombëtares që të ketë sa më shumë konkurrencë. Edhe pse në fakt nuk doja ta quaja konkurrencë, pasi është një ndjenjë prestigji për mua dhe për të gjithë të tjerët që të luajmë me kombëtaren. Në fund të fundit është diçka që e kemi për detyrë ta bëjmë, të japim maksimumin”, deklaroi për Top Channel, portieri Etrit Berisha.

Por a ndihet “i frikësuar” Berisha nga Strakosha?

“Të them të drejtën kam një raport të shkëlqyer me Thomasin, e rivaliteti për kombëtaren është diçka dytësore. Kryesore është të arrijmë suksese me ekipin kombëtar, pak rëndësi ka kush luan”, tha Berisha.

Thomas Strakosha, ndërkohë, vjen në grumbullimin e kombëtares pas fitores së Superkupës së Italisë me Lacion, ndaj Juventusit. Edhe për talentin shqiptar të lacialëve, fakti që në kombëtare rikthehet Berisha, një rival më shumë për katërkëndëshin, nuk përbën problem.

“Është diçka që nuk më intereson aspak. Jam këtu dhe krenar që ndodhem këtu, e rëndësishme është që të fitojmë ndeshjet. Me Berishën jemi shokë dhe të tillë do të jemi, pavarësisht zgjedhjeve të trajnerit”, theksoi Thomas Strakosha.

Top Channel