Superiorja, zhvillohet seminari për arbitrat

27/08/2017 00:00

Durrësi priti arbitrat e futbollit shqiptar në seminarin e përvitshëm që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, në prag të fillimit të sezonit.

Sipas shefit të Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, gjyqtarët u njohën me ndryshimet e bëra në rregullore, ndërkohë që do t’u nënshtrohen edhe disa testimeve.

“Është një seminar që bëhet çdo vit, ku arbitrat njihen me ndryshimet në rregullore. Do të ketë testime për ta, të cilat do të përcaktojnë edhe ecurinë e arbitrave gjatë sezonit të ri të Superiores”, tha Sokol Jareci, shef i Sektorit të Arbitrimit në FSHF.

Jareci bëri edhe një apel për të gjithë arbitrat që do të gjykojnë ndeshjet në kampionatin shqiptar, duke iu kërkuar të evitojnë gabimet e rënda në gjykimet e tyre.

“Arbitrat të kenë kujdes, të evitojnë gabimet e rënda. Pasi nuk i kemi kushtet që të aplikojmë moviolën në fushë. Duhet të tregohen të kujdesshëm në marrjen e vendimeve në rastet e ndëshkimeve të futbollistëve”, shtoi më tej Sokol Jareci.

Sezoni i ri futbollistik në vendin tonë do të nisë në muajin shtator, menjëherë pas ndeshjeve kualifikuese të Kombëtares shqiptare ndaj Lihtenshtajnit dhe Maqedonisë.

Top Channel