Sulmi në Bruksel, ISIS merr përsipër përgjegjësinë

27/08/2017 00:00

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit në Bruksel, aty ku një agresor, që sipas agjencisë së lajmeve të xhihadistëve “Amaq” ishte ushtar i ISIS-it, sulmoi 3 ushtarë me thikë përpara se të qëllohej për vdekje.

Në deklaratën e publikuar këtë të dielë thuhet se “ushtari” kreu sulmin e së premtes në mbrëmje në përgjigje ndaj thirrjeve për të shënjestruar vendet e koalicionit që po lufton luftëtarët e Shtetit Islamik.

Prokuroria belge ka hapur një hetim për tentativë vrasjeje terroriste, pasi agresori sulmoi ushtarët teksa thërriste “Allahu Akbar”. Megjithatë, ai mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë, pas reagimit të vet ushtarëve.

Zyra e Prokurorit Federal tha se personi ishte i njohur për policinë, ai ka pasur precedentë të tjerë kriminalë për sulme, por asnjëherë më parë nuk ka qenë i lidhur me shkelje me natyrë terroriste. I dyshuari, një shtetas belg me origjinë somaleze, mbante gjithashtu një armë zjarri të rreme dhe kopje të Kuranit.

Kohët e fundit, Shteti Islamik ka filluar të marrë përsipër edhe sulme nga njerëz që nuk kanë pasur lidhje të njohura me grupin xhihadist.

Top Channel