Falja e Arpaios, Trump kritikohet nga Ryan, McCain e Bush

27/08/2017 00:00

Paul Ryan është republikani më i fundit që kritikon vendimin e Donald Trump për të falur sherifin e Arizonës, nga çdo krim federal që mund të ketë kryer.

Arpaio njihet si përkrahës i hershëm i fushatës presidenciale të manjatit të pasurive të paluajtshme, e njëkohësisht edhe si ish-sherifi i distriktit Maricopa, me metoda disiplinore të diskutueshme, siç ishte vendosja e të burgosurve në tenda në shkretëtirë, ku temperaturat shpesh arrinin mbi 37 gradë Celsius.

Ai është paditur për keqtrajtimin e personave në paraburgim, të cilëve u jepte atyre ushqime të skaduara, u refuzonte kujdesin shëndetësor dhe i linte në qeli të mbipopulluara, ku vapa bëhej e padurueshme.

Vet 85-vjeçari, që e përshkruan veten si “sherifin më të rreptë në Amerikë”, u është përgjigjur akuzave me komentin e shkurtër se, “burgjet, në fund të fundit janë vende dënimi”.

Ryan, republikani më i lartë në Kongres, nuk e priti mirë vendimin e Trumpit. “Oficerët e zbatimit të ligjit, – thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij, – kanë një përgjegjësi të veçantë për të respektuar të drejtat e gjithsecilit në Shtetet e Bashkuara”. “Nuk duhet të lejojmë askënd të besojë se, një përgjegjësi e tillë zbehet pas kësaj faljeje”, shton ai.

Arpaio u shpall fajtor pasi kishte sfiduar një urdhër gjykate, i cili ua ndalonte patrullave të policisë rrugore shënjestrimin e të dyshuarve si emigrantë. Për 85-vjeçarin, dënimi i tij nuk ishte gjë tjetër veçse një gjueti shtrigash nga Departamenti i Drejtësisë së administratës “Obama”.

Disa kritikë të tjerë të kësaj faljeje, sërish brenda Partisë Republikane të Trumpit, përfshijnë edhe senatorin e Arizonës, John McCain dhe ish-guvernatorin e Floridës, Jeb Bush. Edhe senatori tjetër republikan i Arizonës, Jeff Flake e dënoi lëvizjen, ashtu siç bënë edhe demokratët dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Top Channel