“Terminologu komunist”

24/08/2017 00:00

Nuk është një qasje gjuhësore dhe as një fjalor konvencional. “Terminologu komunist” është një projekt, nismë e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë, që synon t’i bëjë të rinjtë shqiptarë të lindur pas vitit ’90 të reflektojnë mbi të shkuarën komuniste përmes gjuhës, termave e shprehive, si pjesë e indoktrinimit ideologjik, por edhe si pasqyrë e realitetit të kohës.

“Terminologu komunist është një projekt multimedial, i cili synon që të nxisë të rinjtë të reflektojnë mbi të shkuarën nëpërmjet shpjegimit të termave të ndryshëm. Ky projekt është ilustruar grafikisht nga të rinjtë, të cilët kanë marrë një temë të caktuar dhe janë lënë në mënyrë të pavarur të shpjegojnë siç ata e mendojnë”, tha Valbona Bezati, koordinatore e projektit “Terminologu komunist”.

“Janë studentë, janë gjimnazistë, të cilët kanë pyetur prindërit e tyre apo gjyshërit mbi shpjegimin e termave si për shembull ‘shfaqje e huaj’ apo ‘kulak’. Në këtë formë ata kanë arritur që të krijojnë një përshtypje, e duke parë edhe filma, ata kanë arritur që të bëjnë një punë të vogël, e cila është përmbledhur në një video njëminutëshe”, tha më tej Bezati.

Katër videot e para do të plotësohen më tej në fazën e dytë të projektit, ku fjalë të tjera të përdorura gjatë komunizmit do të shpjegohen në një bllok të dytë videosh.

“Këto video faktikisht nuk janë bërë vetëm për të rinjtë. Ato mund të përdoren nga të gjithë mësuesit e historisë dhe letërsisë për t’i ndihmuar ata të shpjegojnë terma të caktuara gjatë orëve të mësimit”, tha koordinatorja e projektit.

Top Channel