Bayern, Hoeness sulmon Douglas Costa: Një mercenar

24/08/2017 00:00

Douglas Costa firmosi për 5 vite me Bayern Munchen, por përfundoi vetëm dy sezone me gjigantët e futbollit gjerman. Anësori teknik, i shtyrë dhe nga ndikimet e menaxherëve, kërkoi pa sukses përmirësimin e kushteve financiare, duke u përfshirë në një situatë armiqësore me bavarezët, që solli më pas edhe shitjen e tij.

Futbollisti latin u cilësua nga presidenti i Bayern Munchen si një mercenar, për shkak të mënyrës sesi kërkoi të shtonte fitimet, ndërsa vuri në pikëpyetje dhe karakterin e lojtarit. Në divorcin e parakohshëm dhe aspak konsensual të Douglas Costës, që i kushtoi gjermanëve 30 milionë euro, ndikoi edhe humbja e vendit titullar.

“Mendoj se Douglas Costa nuk eci mirë te Bayern, pasi ishte totalisht një mercenar dhe karakteri i tij nuk më pëlqeu aspak. Ai nuk ishte aspak popullor mes nesh”, tha presidenti Uli Hoeness. Ish-futbollisti i njohur gjerman ironizoi dhe shpenzimet e çmendura të skuadrave këtë verë në merkato.

“Gjithmonë qesh kur dëgjoj blerje të tilla. Përveç Realit të Madridit, asnjë klub tjetër nuk e ka fituar Champions League më shumë sesa një herë në vitet e fundit. Klube si Paris SG apo Manchester City që shpenzojnë kaq miliona tani, nuk kanë fituar ende asgjë”, tha presidenti i Bayern Munchen.

Top Channel