
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli të martën ditë zie në Kosovë, në nderim të ish kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë sot në Turqi pas një sëmundjeje të rëndë.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministër i Kosovës, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg.”, thuhet ndër te tjera në vendimin e presidentit Thaçi.
Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës.
Ish-kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në Turqi ku ndodhej në koma pas një hemorragjie cerebrale. Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bajram Rexhepit kanë shprehur dhe Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Top Channel