66-vjeçari që terrorizoi fshatin me armë

09/08/2017 00:00

Një 66-vjeçar nga fshati Shkozë i Pukës ka mbajtur në ankth për rreth 7 orë forcat e policisë dhe FNSH-në, teksa qëllonte vazhdimisht në ajër me një armë automatike tip kallashnikov.

Policia e Pukës u njoftua mesnatën e së martës se ka të shtëna me armë në fshatin Shkozë. Shënimet e para të policisë që mbërritën në vendngjarje konstatuan se në oborrin e 66-vjeçarit Nikollë Prendi qëllohej me breshëri automatike në ajër. Edhe pse policia i ka bërë thirrje të dorëzojë armën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në këto kushte janë lajmëruar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë mbajtur për rreth 4 orë të rrethuar 66-vjeçarin. Me ardhjen e mëngjesit dhe në kushtet e ndriçimit të plotë, është bërë e mundur ndërhyrja dhe arrestimi i të moshuarit.

Nga kontrolli në banesë, atij i janë gjetur një armë zjarri automatike kallashnikov si dhe 1400 fishekë të ndara në dy arka.

Top Channel