“Luciferi” nuk kursen as Kosovën

08/08/2017 00:00

Ashtu si pjesa tjetër e Ballkanit, edhe Kosova po shkrihet nën valën e të nxehtit, që tashmë njihet me emrin “Lucifer” dhe që ka sjellë temperaturat më të larta të regjistruara në një dekadë në vend.

Drejtori i urgjencave në kryeqytetin Prishtinë tha se, numri i njerëzve që kërkonin trajtim mjekësor është rritur në mënyrë dramatike, pjesërisht për shkak të temperaturave të larta. I nxehti ka prekur më shumë të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.

“Në urgjencë ka një numër të jashtëzakonshëm njerëzish që kërkojnë trajtim mjekësor për momentin. Vitin e kaluar, në periudhën nga janari në korrik, 22.280 të sëmurë ose të lënduar kërkuan ndihmë mjekësore. Këtë vit, në të njëjtën periudhë ne kemi një numër rekord të sëmurësh dhe të lënduarish që kërkojnë trajtim mjekësor, mbi 30 mijë në total”, tha Basri Lenjani, drejtor i Urgjencës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se temperaturat kanë arritur në 38.7 gradë Celsius, më e larta në një dekadë. Instituti parashikon edhe një javë tjetër të nxehtë, me një rënie modeste të temperaturave javën e ardhshme.

E gjithë Europa Jugore dhe Lindore është goditur nga temperatura mbi 40 gradë Celsius, në një valë të nxehti që ka shkaktuar shumë zjarre nëpër pyje, ka bërë që të lëshohen paralajmërime për rreziqet e të nxehtit dhe ka dëmtuar të mbjellat. “Meteoalarm”, organizata europiane e motit, ka lëshuar alarmin më të lartë, atë të kuq, për 10 vende.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta