Konflikti te “Komuna e Parisit”, burg për 4 të rinjtë

07/08/2017 00:00

Gjykata e Tiranës vendosi ditën e hënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Dejvis Rustemajn, i akuzuar si autori i plagosjes së Mariglen Hoxhës pranë “Komunës së Parisit”, në Tiranë.

Të njëjtën masë sigurise gjykata vendosi edhe për tre bashkëpunëtorët e Rustemajt: Klajdi Kodra, Igler Qose dhe Ardit Xheferri. Ndonëse gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Tiranës të arrestuarit nuk dhanë shumë shpjegime, hetimi paraprak ka zbuluar se shkak i kësaj ngjarjeje kanë qenë debatet mes të plagosurit dhe autorit për vrasjen e djalit të dajës së Mariglenit.

Në lidhje me këtë ngjarje, mësohet se të arrestuarit, Rustemaj, Kodra, Qose dhe Xheferri, të cilët kishin njohje të mëparshme me Mariglen Hoxhën, e kanë akuzuar atë se nuk kishte reaguar si duhet për vrasjen e djalit të dajës së tij. Kaq ka mjaftuar që një natë para ngjarjes, të akuzuarit janë përleshur fizikisht në sheshin “Nënë Tereza” me Mariglenin dhe konflikti ka vijuar edhe një ditë më pas, teksa e kanë plagosur pranë një kryqëzimi te “Komuna e Parisit”.

Katër të akuzuarit kanë deklaruar se nuk po e ndiqnin Mariglenin dhe se përballja në kryqëzim ka qenë e rastësishme. Ndaj tyre janë ngritur akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.

Top Channel