Trump akuzon Kongresin: Raportet me Rusinë, në pikën më të ulët

03/08/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump fajëson Kongresin se ka krijuar tensione të reja me Rusinë, pas miratimit të sanksioneve kundër Moskës.

Më herët, edhe Kremlini deklaroi se ndëshkimet do të dëmtojnë rëndë marrëdhëniet me dy vendeve.

“Marrëdhëniet tona janë në pikën më të ulët dhe më të rrezikshme”, shkruajti në rrejtin social “Twitter” numri një i Uashingtonit, duke harruar Luftën e Ftohtë apo krizën e raketave në Kubë.

“Për këtë situatë mund të falënderoni Kongresin, – vijon më tej ai. – Të njëjtët njerëz që nuk arritën të miranonin ligjin për Kujdesin Shëndetësor”, u shpreh Trump, duke iu referuar faktit që javën e kaluar Senati nuk votoi për ndryshimin e reformës së njohur si “Obamacare”.

Kongresi votoi me shumicë dërrmuese pro sanksioneve të reja kundër Moskës, lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. I përballur me rrezikun që vetoja e tij ndaj masës legjislative të hidhej poshtë nga mbështetja bindëse që siguruan sanksionet në Kongres, presidenti u detyrua ta firmosë të mërkurën, pavarësisht se e konsideronte atë me shumë probleme.

Edhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev tha se sanksionet  e vendosura nga Shtetet e Bashkuara janë kambanat e një lufte tregtare me Moskën. Sipas tij, masat e nënshkruara nga presidenti Donald Trump dëshmojnë paaftësinë e plotë të presidentit amerikan, që sipas tij është poshtëruar nga Kongresi.

Legjislacioni kufizon sasinë e parave që amerikanët mund të investojnë në projekte ruse të energjisë dhe e bën më të vështirë për kompanitë amerikane biznesin me Rusinë.

Top Channel