“Brexit”, guvernatori i Bankës së Anglisë: Po ndikon pasiguria

03/08/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Anglisë ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke theksuar se paqartësitë mbi “Brexit”-in kanë ndikuar tashmë në ekonomi.

Komentet e Mark Carney kanë ardhur në kohën kur banka në fjalë votoi në favor të mbajtjes së pandryshueshme të interesave dhe uli parashikimet për rritjen ekonomike. Për vitin 2017, nga 1.9 për qind që ishte parashikuar rritja në muajin maj, tashmë është rishikuar në 1.7 për qind. Ndërkohë edhe për vitin e ardhshëm, rritja është rishikuar me ulje nga 1.7% në 1.6%.

Stërlina ra në nivelet më të ulëta gjatë 9 mujorit të fundit kundrejt euros, pas rishikimeve në rënie të parashikimeve të rritjes ekonomike, me -0.76% apo 1.1063 euro. Banka e Anglisë votoi me 6 vota pro dhe 2 kundër për të mbajtur normën e interesit në 0.25%, një nivel që ruhet që prej gushtit të vitit të kaluar.

Carney tha se investimet e biznesit kanë qenë më të ulëta nga sa pritej, pikërisht për shkak të “Brexit”.

“Është bërë tashmë evidente në diskutimet tona anembanë vendit me bizneset – tha ai, – se paqartësitë rreth marrëdhënieve eventuale po peshojnë shumë në vendimet e disa biznesmenëve”.

Ai shtoi se investimet kanë qenë më të pakta, nga ç’do të kishin qenë “në një botë tepër të fuqishme” dhe se pasojat e kësaj po fillonin të dukeshin. “Limitet e shpejtësisë së ekonomisë janë ngadalësuar”.

Top Channel