SHBA zbut tonet me Korenë e Veriut. Por lufta mbetet opsion

02/08/2017 00:00

Amerika nuk kërkon ndryshimin e regjimit në Korenë e Veriut. Kjo ishte deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, mes tensioneve në rritje mbi programin e armëve bërthamore dhe atë të raketave të Penianit.

“Ne nuk jemi armiku juaj”, tha Rex Tillerson, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të dialogojnë. Por, një senator republikan rrëfeu se presidenti Donald Trump i kishte thënë se mund të ketë luftë me Korenë e Veriut, nëse programi i raketave të Penianit do të vijojë.

Peniani pretendoi pas testit të fundit se, raketa mund të godiste edhe brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Testi i dytë i një rakete balistike ndërkontinentale i së premtes, i mbikëqyrur dhe lëvduar nga kreu i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ishte më i fundit që zhvillohej në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ne nuk do të kërkojmë ndryshimin e regjimit dhe as rrëzimin e tij. Nuk do të kërkojmë përshpejtimin e ribashkimit të gadishullit. Nuk po kërkojmë as ndonjë justifikim për të dërguar ushtrinë tonë në veri të paraleles së 38”, tha Tillerson, duke iu referuar kufirit mes dy Koreve. “Ne nuk jemi armiku juaj, as nuk duam t’iu kërcënojmë. Por ju realisht përfaqësoni një kërcënim të papranueshëm për ne, ndaj dhe na duhet të përgjigjemi”.

Presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht Kinën, e cila ndan kufij tokësorë me Korenë e Veriut dhe është aleati më i afërt ekonomik i vendit të izoluar komunist, se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndalur programin e armatimeve të Penianit.

Gjithsesi, Tillerson pati një sjellje më diplomatike, duke thënë se “për këtë situatë, vetëm koreano-veriorët duhen fajësuar”.

“Por – shtoi ai, – ne besojmë se Kina ka një marrëdhënie speciale dhe unike për shkak të aktiviteteve domethënëse ekonomike, për të ndikuar te regjimi i Koresë së Veriut në mënyra që askush tjetër nuk mund ta bëjë”.

Në një tjetër zhvillim, senatori republikan Lindsey Grahan tha se Trump i kishte rrëfyer se mund të ketë një konflikt ushtarak mes dy vendeve, nëse Peniani do të vazhdonte me objektivat e tij për të zhvilluar programin e raketave me rreze të mjaftueshme sa për të goditur Shtetet e Bashkuara.

“Do të ketë luftë me Korenë e Veriut për shkak të programit raketor, nëse do të vazhdojnë të përpiqen të godasin Amerikën me raketa ndërkontinentale”, tha Graham, i cili shtoi më tej se “nëse do të ketë realisht luftë, ajo duhet të zhvillohet në Kore. Nëse mijëra vetë vdesin, ata duhet të vdesin atje, e jo këtu në Amerikë. Trump ma ka thënë këtë troç”.

Top Channel