Venezuelë, dy kryeopozitarët janë rikthyer në burg

01/08/2017 00:00

Dy prej figurave më të shquara të opozitës në Venezuelë janë marrë me forcë nga shtëpitë e tyre në mesnatë nga agjentët e sigurisë, në atë që konsiderohet si lëvizja e parë e qeverisë së presidentit Nicolas Maduro kundër armiqve të betuar, pas votimit të së dielës që u kontestua fuqishëm brenda kufijve dhe nuk u njoh nga jashtë, që i jepte partisë në pushtet fuqi thuajse të pakufizuar.

Gjykata Supreme e Venezuelës njoftoi përmes një deklarate se Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma kanë shkelur kushtet e arrestit shtëpiak përmes kërcënimeve ndaj qeverisë, mesazhe të cilat janë publikuar në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit.

Gjykata që kontrollohet nga aleatët e Maduros deklaroi gjithashtu se kishte marrë “raporte nga burime zyrtare të kundërzbulimit” se dy kryeopozitarët po planifikonin arratisjen nga vendi.

Të afërmit dhe mbështetësit e Lopezit dhe ish-kryebashkiakut të Karakasit, Ledezma, raportuan më herët përmes rrjeteve sociale se të dy ata ishin burgosur. Bashkëshortja e Lopezit publikoi edhe atë që duket të jetë videoja e momentit të marrjes së tij nga shtëpia pak pas mesnatës.

“Sapo e morën Leopoldon nga shtëpia”, shkruante Lilian Tintori në “Twitter”. “Nuk e dimë ende se ku ndodhet apo se ku e kanë çuar ata”.

Ndërkohë, mbështetës të Ledezmës publikuan videon e marrjes së tij nga agjentë të sigurisë, teksa një grua ulëriste me të madhe për ndihmë nga fqinjët. “Ata po marrin sërish Ledezmën – thërriste ajo duke qarë. – Jemi në diktaturë”.

Prokurori Juan Carlos Gutierrez tha se vendimi i qeverisë për të rikthyer në burg Lopezin ishte “tërësisht arbitrar” dhe tha se Lopez u ishte përmbushur të gjitha kushteve të arrestit shtëpiak, duke mos pasur asnjë plan për arrati.

Lopez u lirua nga burgu ushtarak “Ramo Verde” më 8 korrik, pasi kreu 3 vite nga dënimi 13-vjeçar për nxitje dhune në mitingjet e opozitës. Shumë grupe të të drejtave të njeriut e konsiderojnë atë të burgosur politik.

Ledezma ishte burgosur gjithashtu në vitin 2015 dhe kohët e fundit kishte dalë në arrest shtëpiak. Të dy udhëheqësit e opozitës publikuan video “online”, ku denonconin vendimin e Maduros për të zhvilluar votimet për Asamblenë Kushtetuese, me fuqi tashmë për të ndryshuar edhe sistemin politik të Venezuelës.

Top Channel