Tiranë, vrasje për një telefon. Arrestohet autori dhe 3 bashkëpunëtorë

01/08/2017 00:00

Sherri për shitjen e një aparati celular mes disa të rinjve përfundoi tragjikisht mesnatën mes së hënës dhe së martës në kryeqytet.

Marvin Mihali, 22 vjeç, u plagos me thikë pranë stadiumit “Dinamo”, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, por humbi jetën disa orë më pas në spital si pasojë e plagëve të marra.

Policia arrestoi 24-vjeçarin Eugen Bitraj si autor të vrasjes, si dhe 3 bashkëpunëtorët në krim, Dejvi Bitraj, 19 vjeç, dhe Kridens e Marsel Alla, 19 dhe 23.

Sipas informacioneve zyrtare, viktima fillimisht është konfliktuar me 19-vjeçarin Dejvi Bitraj, i cili më pas ka thirrur kushëririn e tij, Eugenin dhe pas përleshjes fizike është përdorur edhe një mjet prerës.

Sipas burimeve policore, viktima i ka kërkuar Bitrajt që t’i dorëzonte edhe karikuesin e telefonit të cilin ia kishte shitur dhe në këtë moment ka nisur sherri.

Autori dyshohet se e ka hedhur thikën në Lanë, ndërsa policia ushtroi kontrolle në mëngjes herët por pa mundur të gjejë armën e krimit.

Katër të rinjtë e vënë në pranga akuzohen për “vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel