Tentuan arratinë nga gjykata, vriten të pandehurit në Moskë

01/08/2017 00:00

Tre të pandehur janë vrarë në një gjykatë në kryeqytetin rus, Moskë, pasi u përpoqën t’u rrëmbenin armët oficerëve të sigurisë me synimin për t’u arratisur.

Incidenti ndodhi në momentin kur 5 të dyshuar si pjesëtarë të një bande sulmuan agjentët, të cilët ishin duke i shoqëruar ata në ashënsor drejt sallës së seancës dëgjimore në gjykatë, njofton Ministria ruse e Brendshme.

Tre prej tyre u vranë në përpjekje për t’u arratisur, ndërsa dy të tjerët dhe 3 oficerë të sigurisë u plagosën. Ndërtesa u evakuua brenda një kohe të shkurtër.

Të dyshuarit akuzoheshin të ishin pjesë e një bande të njohur si GTA, një emër i marrë nga loja e dhunshme “Grand Theft Auto”. Grupi kriminal i shtetasve me kombësi nga vendet e Azisë Qendrore dyshohet se ka vrarë të paktën 17 motoristë përreth Moskës mes viteve 2012-2014. Ata detyronin automjetet të ndaleshin në një rrugë kryesore dhe vrisnin drejtuesit për arsye ende të panjohura.

Që të pestë të dyshuarit ishin me pranga në duar në momentin që po shoqëroheshin drejt sallës së gjyqit, deklaron më tej Komiteti Hetimor rus. Njëri prej tyre sulmoi një truprojë dhe u përpoq ta pengonte atë, teksa të tjerët tentonin t’i merrnin armën. Ende nuk dihet sesi mundën ata të liroheshin nga prangat.

Kur ashensori ishte hapur në katin e tretë, oficerët e Gardës Kombëtare ruse hapën zjarr. Mes oficerëve të sigurisë të plagosur është edhe një pjesëtar i Gardës, i cili është transportuar për në spital, si dhe dy oficerë policie, bën të ditur Ministria e Brendshme.

Një avokat që ishte në ndërtesë në momentin e incidentit tha se kishte dëgjuar të paktën 20 të shtëna.

Top Channel