Gjermani, sulm në një supermarket të Hamburgut, 1 i vdekur

28/07/2017 00:00

Rikthehet frika në Gjermani. Një person u vra dhe disa të tjerë mbetën të plagosur gjatë një sulmi me thikë në një supermarket të Hamburgut.

Policia bëri të ditur se një i dyshuar është vënë në pranga, ndërsa sa i përket motivit të ngjarjes tha se ishte ende herët për ta konfirmuar.

Mediat spekuluan se sulmi mund të ketë qenë pjesë e një përpjekjeje për grabitje, por nuk përjashtohet as sfondi terrorit.

E përditëshmja Bild pretendon se agresori thërriti “Zoti është i madh” në gjuhën arabe para se të qëllonte me thikë qytetarët në supermarketin që gjendet në zonën e Barmbek.

Pak minuta më vonë, autori u ndalua nga policia, ndërsa përpiqej të arratisej. Gazeta publikoi edhe një foto që tregon autorin e ngjarjes të mbuluar nga gjaku.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 15:10 minuta. Fillimisht u tha se një person i dytë mund të ishte në arrati, por kjo u përgënjeshtrua më vonë nga autoritetet e Hamburgut, që konfirmuan se agresori ishte vetëm një.

Rrugët rreth zonës u mbyllën, ndërsa një helikopter patrulloi në ajër.

Top Channel