Transgjinorët në ushtrinë amerikane, ndalimi i tyre i paqartë

27/07/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë nuk ka përcaktuar ende si do të implentojë vendimin për të ndaluar transgjinorët që të shërbejnë në ushtri.

Lajmërimi i bërë nga presidenti Trump në “Twitter” mori shumë kritika nga grupet për të drejtat e njeriut, ndërsa zëdhënësja e shtëpisë së bardhë Sarah Sanders deklaroi se administrata do të punojë me Pentagonin për të vendosur se si do të procedojnë.

Pavarësisht komentit mjaft të qartë të Trump në “Twitter”, që në këtë administratë duket se vlen më shumë se një urdhër i firmosur në letër, nuk është ende e qartë se si ky ndryshim prek transgjinorët që aktualisht shërbejnë në ushtri.

Trump e justifikoi vendimin e tij me kostot financiare që ushtria përballon për operacionet dhe shërbimet shëndetësore të transgjinorëve, megjithëse shtoi se edhe konfuzioni që transgjinorët shkaktojnë mes radhëve nuk duhet harruar.

Sipas presidentit, ushtria duhet të fokuset tek fitorja dhe jo të ketë shqetësime të tilla. Megjithëse Shtëpia e Bardhë tha se ky është një vendim ushtarak dhe asgjë më shumë, pra nuk është diskriminimues, analistët thonë se Trump është shtyrë nga loja e vjetër politike në Uashington.

Disa republikanë konservatorë kanë kërcënuar se nuk do të lejojnë miratimin e fondeve për murin kufitar, nëse Trump nuk ndalon transgjinorët në ushtri. Për më tepër, edhe koha e vendimit është shumë e gjetur.

Trump po përballet me çështjen Jeff Sessions, me hetimin për Rusinë, me dramën e ligjit për shëndetësinë dhe sanksionet ndaj Moskës, prandaj nxjerrja në skenë e transgjinorëve në ushtri veçse largon vëmendjen nga çështjet kyçe, bën që forcat konservatore të vrapojnë në krah të presidentit.

Top Channel