Kriza e emigrantëve/ Macron, hotspote në Libi

27/07/2017 00:00

Presidenti i ri francez, Emanuel Macron nuk humb kohë për të zgjidhur krizën e emigrantëve, duke planifikuar ngritjen e hotspoteve në Libi, ku do të shqyrtohen kërkesat për azil.

Sipas kreut të Elizesë, ky hap do ndalonte personat që nuk i përmbushin kushtet për të siguruar azilin, të ndërmarrin rreziqe të mëdha. Qendrat do të jenë gati që këtë verë.

Macron tha se mes 800 mijë dhe një milion njerëz, gjenden aktualisht në kampet e Libisë, me shpresën për të hyrë në Europë. Shumica  e tyre nuk kanë të drejtën për azil.

Lideri francez tha se emigrantët po destabilizonin Libinë dhe Europën, duke nxitur trafikimin e qënieve njerëzore, që siç tha, po financonte terrorizmin. Të martën Macron negocioi bisedimet në Paris mes qeverive rivale në Libi.

Kryeministri Fayez al Sarraj dhe komandanti i ushtrisë Khalifa Haftar, që kontrollon lindjen e vendit, ranë dakord për një armëpushim të kushtëzuar pas takimit. Synimi i tyre është t’i japin fund konfliktit që ka përfshirë vendin, që kur kolonel Gadaffi u rrëzua nga pushteti në 2011-ën.

Macron dhe liderë të tjerë të BE-së, shpresonin në arritjen e një marrëveshjeje, pasi Libia është kthyer në një intinerar kyç për emigrantët që nisen drejt kontinentit të vjetër.

Ndërkaq, një burim qeveritar tha të enjten se Italia ka ndërmend të dërgojë disa anije në ujërat e Libisë nga fundi i gushtit, për të luftuar trafikimin e qënieve njerëzore dhe për të frenuar valën e emigracionit.

Sipas OKB-së, më shumë se 110 mijë emigrantë nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme, kanë ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut, vetëm këtë vit, 2300 prej të cilëve janë mbytur.

Top Channel