Demiraj në Top Story: Teknikë para zgjedhjeve? Jo!

27/07/2017 00:00

Dy ishin shqetësimet e opozitës para se të futej në zgjedhje e 25 qershori; përfshirja e administratës publike në fushatën elektorale dhe përdorimi i parave të drogës në to.

Këto ishin dy arsyet që pas marrëveshjes së 18 majit, Partia Demokratike mori drejtimin e disa ministrive dhe agjencive të rëndësishme në vend.

Njëri prej këtyre institucioneve ishte edhe Ministria e Brendshme, e cila që prej marrëveshjes Rama-Basha drejtohet nga Dritan Demiraj me misionin parandalimin e përdorimit të administratës publike dhe të parave të pista në zgjedhje.

Por sa u arritën këta dy objektivë? Për të folur për këtë në Top Story-n e kësaj të enjteje me Sokol Ballën ishte vetë ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Ministri i Brendshëm tha se marrëveshja Rama-Basha zbuti klimën zgjedhore dhe garantoi disa arritje, por jo realizimin e plotë të misionit për të cilin thotë se mori detyrën.

I pyetur nëse mekanizmi i gjetur nga Rama dhe Basha për zgjedhjet e 25 qershorit duhet të zbatohet edhe në zgjedhjet e ardhshme, Demiraj mendon se jo.

“Nuk mendoj se duhet bërë gjithmonë, por në kontekstin që ishte opozita, bëri të mundur që opozita të bëhej pjesë e fushatës elektorale. Mendoj se jo, për aq sa kam parë këto dy muaj mendoj se nuk funksionon”, deklaroi ai.

Demiraj thotë se ka patur bashkëpunim të mirë me strukturat e ministrisë dhe të policisë dhe bashkëpunimi thotë se vazhdon ende i tillë.

Top Channel