
Shtetet e Bashkuara janë një hap më pranë vendosjes se sanksioneve ndaj Rusisë pas dritës jeshile të Dhomës së Përfaqësuesve, që erdhi pavarësisht kundërshtisë se Presidentit Donald Trump. Projektligji i miratuar me 419 vota pro dhe vetëm 3 kundër zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk e lejon shefin e Shtëpisë së Bardhë që t’i zbusë ato.
“Nëse Presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka tjetër me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse zotin Putin, ne do ta ndëshkojmë”, tha Elio Engel, kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Masat e reja shënjestrojnë zyrtarë të lartë rusë në formë shpagimi ndaj ndërhyrjes së supozuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-s dhe me shumë gjasë, do t’i komplikojë përpjekjet e Trump për të përmirësuar marrëdhëniet me Kremlinin.
Përpara se t’i dërgohet presidentit për të vendosur firmën e tij, drafti i aprovuar pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesash proceduriale, duhet të kalojë edhe në Senat. Shtëpia e Bardhë njoftoi se po e shqyrton dokumentin, por nuk është ende e qartë nëse presidenti do ta bllokojë me veton e tij.
Drafti parashikon gjithashtu sanksione të reja edhe ndaj Iranit e Koresë së Veriut, regjime që sipas kongresmenit republikan të Kalifornisë, Ed Royce, po kërcënojnë interesat jetike të SHBA-së dhe po destabilizojnë fqinjët.
Top Channel